Ballkani përballë një stuhie që mund vij prej Rusisë

Ballkani përballë një stuhie që mund vij prej Rusisë

Botuar tek Revista Shenja

Në fillim të vitit 2015, në një prezantim para kongresit, ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry ka pas vënë alarmin për zgjerimin e ndikimit të Rusisë në Evropë duke thënë se vende të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në “vijën e parë të zjarrit” mes SHBA-ve dhe Rusisë. Shqetësim të ngjashëm ka shprehur edhe kancelarja gjermane Merkel e cila ka folur ashpër për përpjekjet e Rusisë që t’i bëj disa vende të Ballkanit Perëndimor të varur politikisht dhe ekonomikisht. Së fundmi, në vizitën e tij në Sarajevë në fillim të shkurtit, Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi haptazi se aleanca po vë re një rritje të madhe të ndikimit rus në Ballkan dhe po bashkëpunon me partnerët në rajon që t’i bëjnë ballë këtyre ndërhyrjeve nga Moska.

Kriza globale financiare dhe rritja e çmimeve të naftës e gazit në tregjet ndërkombëtare  bëri që Rusia të përfitojë nga gjendja e keqe ekonomike e disa prej këtyre vendeve për të forcuar ndikimin nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta, kredive apo turistëve. Firma të fuqishme ruse të energjisë si Lukoil dhe Gazprom, dominojnë tregjet e Serbisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Po ashtu vihet re një rritje e ndikimit të butë (soft power) ku ka një retorikë në rritje të përmendjes së solidaritetit pan-ortodoks apo vëllazërisë pan-sllave. Gjithashtu janë shtuar veprimet ruse që bëhen nën rrogoz, nëpërmjet veprimtarisë së rrjetit të spiunazhit,  financimeve sekrete, aleancave personale me politikanë autoritarë populistë  apo instrumentalizimit biznesmenëve apo politikanëve të veçantë që kanë lidhje të dyshimta e të errëta.

Paralelisht me shtimin e përpjekjeve të Rusisë për të fituar terren përkundrejt Perëndimit, ka pasur edhe një dobësim të pranisë së Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. Më konkretisht tema si kriza e brendshme e madhe ekonomike, kriza e refugjatëve, Brexit-i e kanë eklipsuar rajonin tonë nga vëmendja e Brukselit. Por ajo që e favorizon akoma më shumë këtë ekspansion të Rusisë dhe trazimin e rajonit është gjendja e brendshme politike në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Situata në Maqedoni është në një limbo të vërtetë institucionale duke patur parasysh se kanë kaluar muaj prej zgjedhjeve dhe ende nuk është formuar një mazhorancë qeverisesë.  Jo vetëm që po afrohen zgjedhjet lokale me një paqartësi të rrallë institucionale por edhe orientimi i këtij vendi është vënë në pikëpyetje. Nërkohë që ky vend është aspirante për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior, një anketë e para pak ditëve nxjerr se Rusia pëlqehet më shumë në Maqedoni se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 29.9% përkundrejt 15% respektivisht. Media e kontrolluar nga Moska i quajtën protestat e Shkupit të prillit 2015 si dhe ngjarjen e Kumanovës në muajin maj të të njëjtit vit si ndëshkim të perëndimit kundër Maqedonisë për faktin që Gruevski nuk pranoi të bashkohej me vendet e tjera evropiane për të vendosur sanksione kundër Rusisë.

Opozita në Mal të Zi ende bojkoton parlamentin, refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Nikshiqit dhe dhe vazhdon  të flasë hapur agresivisht kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.  Fonde të majme ruse raportohet të jenë derdhur në xhepat e partive opozitare anti-NATO në Mal të Zi gjatë fushatës së fundit parlamentare. Së fundmi po ashtu kanë dalë akuza goxha mirë të mbështetura që flasin për një komplot rus të dështuar që synonte të vriste kryeministrin Gjukanoviç e të nxiste një luftë të mirëfilltë civile në Mal të Zi.

Serbia po i afrohet zgjedhjeve presidenciale të prillit dhe bashkë më të ka një ringritje të toneve nacionaliste dhe të debatit të brendshëm për dyzimin për orientim drejt Moskës apo Brukselit. Pas të ashtuquajturës “Qendra Humanitare “ në Nish Rusia po përgatit ndërtimin e një baze të dytë spiunazhi në aeroportin Eçka të Vojvodinës.  Shkëmbimet ushtarake gjithashtu po shtohen dhe në nëntor të vitit 2016 Serbia organizoi në territorin e veë një manovër ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë të quajtur “Vëllazëria Sllave”. Po ashtu Rusia sapo i ka dhuruar një sasi të konsiderushme mjetesh të blinduara dhe gjysëm skuadroni Mig-29 Serbisë për të dëshmuar besnikëri serbëve dhe për t’i bërë karshillëk NATO-s.

Bosnja vazhdon të jetë edhe më e trazuar se më parë si pasojë e ringjalljes së retorikës nacionaliste serbe. Në 9 janar të këtij viti udhëheqësi i serbëve të Bosnjes organizoi një festë të madhe të quajtur Dita e Republikës Serbe ndërkohë që kjo ditë ishte ndaluar prej Gjykatës Kushtetuese. Si pasojë e këtij veprimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën Dodikun në listën e zezë dhe ngrinë të gjitha asetet e tij në këtë shtet duke e akuzuar si kërcënues të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së Dejtonit. Nga ana tjetër Rusia i ka dhënë mbështetje të hapur Dodikut në përpjekjet e tij separatiste dhe për të futur më shumë hundët në punët e Bosnje Hercegovinës, i dha këtij shteti 125 milionë dollarë si shlyerje të borxhit të Bashkimit Sovjetik ndaj ish Jugosllavisë. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 po promovohet shpesh edhe si një model që duhet të ndjek Republika Serbe për shkëputur e për t’u bashkuar me Serbinë.

Pak javë më herët situate u acarua jashtëzakonisht gjithashtu në Kosovë ku një tren rus i nisur nga Beogradi dhe i stolisur me deklarata dhe piktura provokuese ndaj pavarësisë së Kosovës, u ndalua prej autoriteteve kosovare në momentin e fundit që të hyj në Mitrovicë. Po ashtu muri i Mitrovicës tanimë I shembur dhe rifreskimi i mandat-arresteve për ish –luftëtarët e UÇK-së që çuan në ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj janë pjesë e një fushate që po vë në pikëpyetje arritjet e deritanishme të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë Beograd. Po ashtu Rusia e ka përdorur dendur në retorikën ndërkombëtare Kosovën si rast precedent për të justifikuar statusin e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore si dhe për aneksimin e Krimesë. Po ashtu agresiviteti rus kundër pavarësisë së Kosovës arriti kulmin gjatë përpjekjes së Kosovës për të siguruar anëtarësimin në UNESCO.

Për sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë sivjet është vit elektoral me zgjedhjet lokale që priten të organizohen në fund të vjeshtës, çka të lë të mendohet se lufta e brendshme në vend ka për t’u ndezur sërish. Po ashtu dy çështjet që ishin strumbullar i opozitës për protestat e dhunshme, demarkacioni dhe asociacion, ende ngelen pezull dhe rrezikojnë ta trazojnë vendin sërish sapo të futen në rendit e ditës së parlamentit.

Fatmirësisht, ndryshe nga vende të tjera të Ballkanit, ndikimi i Rusisë qoftë ekonomik e qoftë shpirtëror në Republikën e Shqipërisë është minimal.  Mirëpo Shqipëria ndodhet në vit elektoral që si zakonisht shoqërohet me një  përqendrim ekskluziv të të gjithë aktorëve e faktorëve në zgjedhje dhe shkrehje të vëmendjes ndaj problemeve apo angazhimeve të tjera në vend. Po ashtu për herë të parë pati një përplasje të drejtpërdrejtë e të paprecedentë ndërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit dhe ambasadorit amerikan në Tiranë. Ditëve të fundit gjithashtu filloi një përshkallëzim i beftë i retorikës dhe veprimeve të opozitës në Shqipëri e cila sapo ka organizuar një protestë  para kryeministrisë të cilën e shoqëroi me vendosjen e disa çadrave ngjashëm me atë që ka pas bërë opozita në Maqedoni dhe Mal të Zi një vit më herët. Dihet që Shqipëria ende nuk ia ka dalë të normalizojë procesin zgjedhor dhe ekziston rreziku që në kushtet e një situate eterike gjatë fushatës dhe zgjedhjeve, të mjaftojë një shkëndijë e vogël e provokuar nga jashtë që të ndezi një zjarr në vend.

Me pak fjalë i gjithë rajoni gjendet në një situatë politike relativisht volatile të brendshme gjë që i siguron një terren fertil zgjerimit të ndikimit rus. Nga ana tjetër kjo ndërhyrje nuk është më një çështje konspirative por ka tashmë përpjekje të qarta nga ana e Moskës për të destabilizuar rajonin duke dashur që të pengojë integrimin e mëtutjeshëm Euro-Atlantik dhe të minimizojë influencën që ka SHBA dhe BE në këtë pjesë të Ballkanit.  Po ashtu duket qartë që Moska është e gatshme të bëj aleanca me ata liderë politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht apo për të shtënë në dorë pushtetin. E gjithë kjo situatë kërkon që liderët politikë e partitë shqiptare, kudo që janë, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, të tregohen më të përgjegjshëm përpara kësaj situate delikate rajonale dhe të tregohen më të vetë-përmbajtur. Po ashtu kërkon konsultime më të afërta dhe lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë tanë perëndimor, për të parandaluar me çdo kusht instrumentalizimin dhe rënien pre të ndonjë skenari dashakeq rus. Së fundmi është shumë e nevojshme që pavarësisht hatërmbetjeve dhe rivaliteteve të brendshme politike, politikanët shqiptarë të tregohen sa më të vetë-përmbajtur duke i vënë fre impulsivitetin tonë karakteristik, për të shmangur çdo lloj tensionimi të mëtutjeshëm të situatës në rajon. Në këtë periudhë delikate është e domosdoshme që të gjithë të ruhemi nga tendencat populiste, dogmatike, ekstremiste që vënë në pikëpyetje sistemin e liberal-demokracisë dhe orientimin tonë drejt perëndimit.

 

Comments

comments

Item review
Adri

Related Posts

Comments are closed.