Dora e dukshme dhe e gabushme e shtetit në ekonominë shqiptare

Dora e dukshme dhe e gabushme e shtetit në ekonominë shqiptare

Dora e dukshme dhe e gabushme e shtetit në ekonominë shqiptare
botuar tek gazeta Shqip

Një ndër burimet kryesore të krizës së madhe që ka kapur ekonominë amerikane gjatë këtyre viteve dhe si pasojë gjithë ekonominë botërore, gjendet tek tregu i ndërtimit në Amerikë dhe politikat shtetërore të rrugës së tretë të ndjekura nga Bill Klinton. Ndryshe nga socializmi klasik i cili politikat sociale i bënte nëpërmjet kompanive shtetërore, rruga e tretë hamendëson që shteti të ndërhyjë në ekonomi jo me të njëjtën formë intruzive dhe të drejtpërdrejtë por nëpërmjet politikave të caktuara monetare apo fiskale, nëpërmjet rregullave që vihen në ekonomi si dhe nëpërmjet një lloj partneriteti midis sektorit privat dhe atij publik. Në këtë rast politika sociale ishte rritja e numrit të popullsisë amerikane që zotëronte një banese duke e mundësuar blerjen e një shtëpie për qytetarët amerikan me të ardhme të ulta ose të mesme. Kjo politikë sociale strehimi dikur është zhvilluar në formën e ndërtesave të ndërtuara me fonde publike por që iu shiteshin ose jepeshin me qera me çmime të subvencionuar popullsisë më nevojtare. Tanimë politika e zgjerimit të strehimit u bë në formë më të sofistikuar me disa instrumente. U bë me politika monetare të Federal Reserve që mbajti interesat të ulta për të nxitur kreditimin; me politika fiskale duke mos taksuar bankat amerikane për fitimin e nxjerrë prej kredive të dhëna për shtëpi e duke i nxitur bankat amerikane që të përqëndroheshin më shumë në këtë sektor kredidhënie. Gjithashtu forma më e impakti më të madh akoma ishte ajo garantimit të kredive të dhëna për blerjen e shtëpisë prej qytetarëve të varfër nëpërmjet kompanive gjysëm shtetërore Freddie Mac dhe Fannie Mae duke bërë që të ushqehet iluzioni se risku i madh në tregun e ndërtimeve është i justifikuar përderisa qeveria ofron garanci si dhe duke bërë të lulëzojë një treg të ri financiar të koklavitur të siguracioneve që synonin të garantonin kreditë e dhëna.
Këto ndërhyrje dhe sinjale të dhëna nga shteti amerikan u kombinuan me një grykësi dhe papërgjegjshmëri të skajshme të demonstruar nga drejtuesit e sketorit financiarë si dhe me një sjellje kolektive “kopeje” dritëshkurtër të një pjese të mirë të qytetarëve amerikanë, deformuan tregun e lirë dhe devijuan një pjesë të mirë të burimeve në një sektor joproduktiv siç është patundshmëria.Â
Plasja e flluskës së madhe të ndërtimit në SHBA gjatë vitit 2008 u shoqërua me një shfryrje të ngjashme në patundshmërinë e Britanisë apo Spanjës ku çmimet e banesave ranë 30-40% brenda një kohe disamujore. Normalisht kjo përvojë duhej t’i shërbente shtetit shqiptar për të vënë mend duke mësuar nga pësimi i SHBA-së dhe vendeve të tjera dhe duke marrë masa që ta dekurajonte ndërtimin tek ne në mënyrë që të shmange një katastrofë të ngjashme deflacioni. Gjithë ajo katrahurë e madhe ekonomike në SHBA u shkaktua nga një sektor ekonomik fiktiv siç ishte ai i nërtimit që zinte vetëm 6% të ekonomisë, ndërkohë që rreziku tek ne është shumë më i lartë duke patur parasysh që ndërtimi përbënte rreth 25% të ekonomisë shqiptare dhe sektorët e tjerë produktiv nuk janë aq të zhvilluar sa të kompensojnë për lëkundjet që has sektori i parë. Përkundrazi një tjetër shtyllë e ekonomisë shqiptare është turizmi i cili është i lidhur ngushtë me ndërtimin gjithashtu një pjesë e mirë e kredidhënies nga bankat është bërë duke patur si kolateral prona të paluajtshme.Â
Fryrja e skajshme e sektorit tonë të ndërtimit vjen si pasojë e shumë faktorëve objektiv dhe subjektiv, megjithatë dora e shtetit duket qartë edhe këtu. Krijmi dhe konsolidimi i disa monopolëve të pasfidueshme në shumë sektor të ekonomisë, ështirësia në procedura për të hapur biznese, kriza energjitike që dekurajonte investimin në industri, moszgjidhja e çështjes së pronës që dekurajonte investimet në bujqësi e shumë situata të tjera që kanë pasur përgjegjës të drejtpërdrejtë shtetin kanë bërë që shumë qytetarë të kanalizojnë të ardhurat dhe kursimet në këtë sektor duke mos parë mundësi biznesi në fusha të tjera. Në dekadën e parë zgjerimi i ndërtimit ishte më se i natyrshëm duke patur parasysh lëvizjet e mëdha të brendshme migratore që ndodhën në vendin tonë që erdhën si pasojë e privimit të lirisë së lëvizjes gjatë regjimit komunist. Mirëpo fitimi i shpejtë dhe i majmë i siguruar në periudhën e parë kombinuar me rrethanat e përmendura më sipër çoi në krijmin e një sjelljeje kopeje (herd behaviour) duke bërë që oferta e ndërtimeve të rritej shumë më shpejtë sesa kërkesa dhe duke na sjellë në një situatë ku numri i stokut të apartamenteve të pashitura është pesëshifror. Për stimulimin e këtij sektori ishin të interesuar personalisht edhe shumë politikanë që zotëronin firma ndërtimi dhe nuk është rastësi që një sektor aq fitimprurës nuk detyrohej të paguante TVSH ndërkohë që sot kjo taksë paguhet edhe për librat. Po ashtu nuk është rastësi që para pak vitesh shteti negocionte me BERZH-in që kreditë e buta të jepeshin për të ndërtuar fabrika çimentoje që do të shtynin më tej ndërtimin dhe nuk përpiqej që kreditë të shkonin në fusha më nevojtare për ekonominë shqiptare si për shembull industria ushqimore apo energjitika.
Normalisht shteti shqiptar do të duhej që shumë vite më parë të vilte në mënyrë efikase taksën mbi pronësinë e paluajtshme për të dekurajuar ndërtimin e shfrenuar, varrosjen e një sasie të madhe paraje të shqiptarëve në çimento dhe spekulimin imobiliar. Duhet thënë që në rastin shqiptar ndërhyrja shtetërore nuk bëhej as për qëllime dashamirëse sikurse qe sigurimi i strehimit për qytetarët më të varfër në Amerikë as prej naivitetit, por për të nxitur më tej një sektor që jo vetëm ryshfetet i kishte më të majmura por që edhe ndërtuesit kryesor i kishte të lidhur me politikën.
Fatkeqësisht këto dy vitet e fundit, shteti shqiptar në vend që të shqetësohej për rrezikun që i kanosej flluskës shqiptare të ndërtimit dhe të merrte masa për ta shfryrë në mënyrë sa më graduale dhe të padëmshme të kësaj flluskë, shteti ka ndërmarrë veprime që e kanë fryrë më tej dhe rënduar në ekstrem sektorin e ndërtimit.
Pikësëpari vendosja nga qeveria e turizmit si prioritet kryesor ekonomik, investimet në infrastrukturën bregdetare, retorika e papërmbajtshme dhe e pabazuar qeveritare për “Shqipërinë si perlë të pazbuluar në Mesdhe” dhe “një rritje drastike të turistëve të huaj” ka dhënë sinjale shumë të gabuar në ekonominë shqiptare dhe ka bërë që të ushqehet iluzioni se ndërtimet turistike kanë një të ardhme të sigurtë. Për rrjedhojë shumë kompani që më parë ndërtonin apartamente banimi nëpër qytetet kryesore i hodhën investimet e tyre në ndërtimin e banesave të pushimit duke replikuar në Vlorë, Shëngjin, Orikum, Pogradec e Velipojë modelin e ndërtimit pa kriter të Golemit e Durrësit. Sot në bregdetin e Adriatikut mund të ketë mbi 10000 apartamente pa shitur gjë që po i fundos pak e nga pak kompanitë që i kanë ndërtuar dhe bankat që i kanë kredituar. Ajo që e bën më të rëndë situatën është fakti që në këtë rast bëhet fjalë për apartamente pushimi dhe jo banimi që do të thotë se ato janë një luks i papërballueshëm sidomos në kohë krize dhe e kanë më të vështirë të shiten sesa mijëra apartamente stok që kanë ngelur në Linzë, Farkë e Yzberish. Këto të fundit mund të shpresojnë të shiten falë rritjes së madhe demografike shqiptare që ka për të sjellë kërkesë në vazhdim për shtëpi për të jetuar ose do mund të jepen me qera për banim për të zbutur sadopak dështimin që vjen nga mungesa e kërkesës për t’i blerë. Nga ana tjetër apartamentet qe erdhën si rezultat i turizmo-manisë shqiptare kanë më pak shanse të shiten sepse kërkojnë klientë të pasur që ia lejojnë vetes të kenë një apartament të dytë për pushime. Me krizën që është nëpër këmbë ky lloj klienti në Shqipëri është bërë specie në zhdukje e sipër, Kosova është futur në varfëri ekstreme dhe ka edhe më pak syresh, në tregun ndërkombëtar apartamentet tona të ndërtuara rrëmujshëm, pa kritere e standarde të larta e kanë të vështirë të konkurrojnë me apartamentet në pjesë të tjera të Mesdheut si Tunizia dhe Egjipti ku mesatarja e çmimit për metër katror është sa gjysma e apartamenteve të bregdetit tonë. Për mos të përmendur faktin që infrastruktura zbavitëse e shlodhëse në Shqipëri janë inekzistente dhe linjat e fluturimit mes Shqipërisë dhe vendeve perëndimore ende janë shumë më të shtrenjta, si pasojë e monopoleve të vendosura ajrore, sesa që këto vende kanë me destinacione turistike më të lira dhe zhvilluara të Magrebit apo Turqisë. Turizmi në Shqipëri e ka të ardhmen shumë të pasigurtë sidomos duke patur parasysh konkurrencën e fortë dhe heqjen e vizave. Një pjesë e mirë e të ardhurave të turizmit vinte prej emigrantëve të cilit ishin të detyruar të bashkonin çmalljen me pushimin dhe vinin harxhonin kursimet në bregdetin tonë por që me heqjen e vizave mund të ftojnë të afërmit atje ku rrinë për çmallje gjatë vitit të punës e pushimet ti kalojnë në vende më joshëse dhe të leverdisshme. Po ashtu të paktën vitet e para një masë e madhe e qytetarëve shqiptarë do të braktisë bregdetin shqiptar gjatë verës dhe do të rend të eksplorojë perëndimin dhe vizitojë farefisin në diasporë.
Së dyti shteti e ka deformuar akoma më tej ekonominë duke kaluar më shumë burime nga sektori produktiv, në atë joproduktiv falë investimeve të mëdha rrugore që u bënë për fushatën elektorale si dhe duke mos paguar kompanitë e ndërtimit për porositë e bëra. Për të garantuar mbijetesën politike dhe siguruar vota në zgjedhjet e vjetshme parlamentare qeveria ndërmorri një numër të jashtëzakonshëm projektesh ndërtimi rrugësh e vetëdijshme që nuk kishte para për ti paguar të gjithë duke i dhënë një grusht final edhe atyre pak kompanive të ndërtimit që kishin mundësi të mbijetonin. Me të marrë tenderin kompanitë e ndërtimit u nxitën që të punonin e ndërtonin sa më shumë sa më shpejt , ndonjëherë edhe shkel e shko, për ta bërë ndryshimin infrastrukturor të dukshëm para zgjedhjeve. Kompanitë e ndërtimit që kishin marrë porosi nga shteti, ishin të bindura që do merrnin para nga shteti pasi ta kryenin punën dhe për këtë arsye nuk hezituan të hidhnin në asfaltin dhe çimenton e rrugëve që do ndërtoheshin gjithë kursimet, rezervat që kishin apo të shteronin gjithë mundësitë e tyre për kreditim. Zbrazja e buxhetit publik, marrja e borxhit nga jashtë prej qeverisë për të vazhduar investimin mbi rrugët si dhe shtrydhja e burimeve private të kompanive të tenderuara solli një influks likuiditeti të madh në qarkullim duke e vonuar majisjen e krizës ekonomike shqiptare. Ky sinjal që erdhi në ekonomi bëri që disa prej këtyre kompanive të ndërtimit të iludoheshin se do merrnin së shpejti para nga qeveria për rrugët e ndërtuara dhe për këtë arsye të vazhdonin të ndërtonin të tjera apartamente ose të mbanin të bllokuar çmimin e atyre ekzistues. Aktualisht shumë prej këtyre kompanive të ndërtimit kanë ndërtuar rrugë publike me paratë e tyre ndërkohë që presin në ankth dhënien e parave prej qeverisë e cila në kushtet ku është katandisur buxheti shtetëror as TVSH-në nuk iu kthen. Edhe pse kostot oportune janë të pallogaritshme dhe rrezikohen seriozisht prej falimentimit, këto kompani kanë ngelur peng dhe nuk guxojnë të kundërvihen nga frika e hakmarrjes së pushtetit. Sot flluskës ekzistuese të patundshmërisë i është shtuar edhe kostoja e rëndë e papërgjegjshmërisë së qeverisë me ndërtimet publike të porositura por të pafinancuara. Deformimi që ka ardhur prej ndërhyrjes së gabuar të dorës së shtetit ka bërë që vendi ynë sot të jetë shumë pranë deflacionit dhe realitetit që po zhvillohet në Greqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top