Funerali i librit?!

Botuar tek Revista Flatra

Shpalljen e librit si të vdekur që meriton përgatitjen e funeralit e kanë bërë edhe herë të tjera më parë kur ka pasur ndonjë revolucion teknologjik që ka pretenduar se se do penalizonte shkrimin, sikurse qe rasti i radios apo televizionit. Po ashtu kambanën më të madhe të alarmit i kanë rënë anembanë botës sidomos kur filloi masivizimi i internetit mirëpo brenda pak kohësh u pa se kompania më e madhe në botë e internetit u bë pikërisht Amazon që shiste libra. Për mos të folur pastaj që zëvendësimi i letrës me leximin elektronik të tabletave të specializuara për libra elektronik gjithashtu u prit me skepticizëm e përçmim nga konservatorët. Unë i pasionuar pas teknologjisë kuptohet që isha ndër blerësit e parë të kindle, lexuesit elektronik të kompanisë amazon, i kam blerë pothuaj të gjitha versionit e deritanishme dhe besoj së shpejti do e zëvendësoj versionin paperwhite me oasis që ka dalë para pak muajsh.  Tregu librave elektronik shpërtheu dhe në periudhën 2008-2010 u shënua një rritje prej 1260% të shitjeve dhe po ashtu kanë shpërthyer llojet e tabletave që mundësojnë leximin elektronik si dhe softwareve që e bëjnë gjithnjë e më të volitshme këtë lexim në gjithfarë platformash.

Kur vjen fjala të flitet për preferencën mes librit të shtypur dhe librit elektronik, unë e konsideroj veten një bigam otë mirëfilltë, i martuar me të dy format e librave njësoj,  sikurse edhe shenjën zodiakale e kam binjakët. Personalisht vazhdoj te jem i dashuruar me librin e shtypur më pëlqen të ble libra edhe pse e di që kanë për të pritur goxha në rafte para se ti prek përsëri. Fatkeqësisht angazhimet e ndryshme dhe nevoja për të lexuar materiale pune ka bërë që të mos lexoj dot ende një pirg me libra që më shohin me sy qortues të pahapur në bibliotekë, të cilat i përkasin fushave nga më të ndryshmet e që i përshtaten më së miri interesave të mia eklektike. Mund të them që në buxhetin tim shpenzimi për libra është një ndër zërat kryesor, kapërcen goxha ato që shpenzoj për veshje, dhe konkurron denjësisht me ato që shpenzoj për pije.

Çdo libër i shtypur e fiton një identitet të posaçëm më të plotë, një lloj individualiteti të mirëfilltë që krijon një lidhje më të ngushtë pothuaj në formën e një raporti personal. Kjo gjë  nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e tekstit apo ilustrimeve por edhe me aspekte fizike, sikurse është kopertina, pesha, llojin dhe trashësinë  e letrës, peshën që  të rëndon në dorë kur e shfleton. Besoj se librat e shtypur kujtohen edhe më mirë pasi lënë edhe gjurmë fizike përveçse asaj intelektuale. Faktikisht librave që më kanë pëlqyer shumë iu kujtoj madje edhe fontet e shkrimit si dhe aromën që iu ka lëshuar letra. Po ashtu librat kanë një dimension edhe më të kompletuar social, kur ti e jep si dhuratë apo kur ja huazon dikujt, ndërkohë që po të dërgosh një libër elektronik me email duket sikur bën një veprim më distant e jopersonal. Po ashtu kam përshtypjen se libri fizik të ndihmon në përqendrim dhe dedikim ndaj tekstit ndërkohë që tabletat që përdoren për të lexuar librat kanë mundësi të tjera që lehtësojnë hallakatjen apo shpërndarjen e vëmendjes duke pasur në mënyrë të vazhdueshme tundimin për të kontrolluar facebook apo ndonjë portal lajmesh.

Pasi e ke kaluar tërë ditën para kompjuterit apo duke e kontrolluar së paku 100 herë telefonin e mënçur, ekrani në vetëvete të shkakton një alergji në mbrëmje dhe shfletimi i këndshëm i një libri fizik të shtypur shërben edhe si një arrati shlodhëse nga bota e pikselëve dhe megabajtëve.

Elementi kryesor i anëve pozitive të librave elektronik është kostoja, kushtojnë shumë më pak se librat e shtypur, nuk harxhon për postim kur i ble online elektronik dhe kursen kohë të vyer kur i shkarkon menjëherë pa pritur që t’i sjellë postieri apo të shkosh t’i marrësh në bibliotekën e qytetit.. Përmasat japin gjithashtu një avantazh të jashtëzakonshëm mbartshmërie, kindle im peshon tek 200 gramë dhe mbahet lehtësisht në xhepin e brendshëm të xhaketës për t’u përdorur kudo apo kurdoherë që të të kurdiset në mendje dhe mban lehtësisht mbi 3000 tituj që është pothuaj biblioteka ime e librave fizik në Tiranë. Në epokën e linjave ajrore me kosto të ulët edhe dy libra të vetëm mund të ta prekin limitin e lejuar të kilogramëve që mund të marrësh me vete duke ta shtuar menjëherë në mënyrë të panevojshme koston e udhëtimit, gjë që ta kursen një kindle. Sot teknologjia të mundëson të bësh shënime, të nënvizosh pjesë të vlefshme , të ketë filtra për të pasur minimumin e ndikimit tek shikimi, të kesh madje edhe simulimin e zhurmës së shfletimit që të ta bëj përjetimin e leximit sa më afër përjetimit autentik.  Një tjetër aspekt mahnitës i teknologjisë janë librat elektronik të lexuar që për mua kanë qenë një pikë kthese në udhëtim. Duke udhëtuar për Tiranë pothuaj çdo fundjavë rruga  më duket pothuaj e papërfillshme shpejt  dhe aspak e humbur kot, kur e kaloj duke dëgjuar në sfond një libër elektronik të shkarkuar prej scribd.com apo audible.com. Një tjetër avantazh thelbësor është qasja tek një pafundësi titujsh. Shumë libra kanë kohë që janë shtypur janë shumë të rrallë dhe kam pasur mundësi që t’i prek me dorë e ti lexoj vetëm kur kam qenë student e më është lejuar përdorimi i bibliotekave madhështore universitare të Cambridge, LSE apo UCL në Angli. Sot jam i abonuar në platforma si questia apo scribd që janë biblioteka elektronike që më sigurojnë një qasje elektronike të përafërt me qasjen fizike që kam pasur si student.  Po ashtu duhet thënë se paralel me shitjet janë shtuar edhe bibliotekat online falas duke nisur nga më i hershmi projekti Gutenberg i nxjerrjes në version elektronik të librave klasik me të drejtë të pronësisë intelektuale të skaduar prej kohësh tek librat e skanuar të google numri i të cilëve ka mbërritur tashmë 25 milionë tituj.

Unë e di se çfarë thuhet në botë në përgjithësi për funeralin e librit mirëpo unë e kam të vështirë ta pranoj idenë e funeralit të librit duke qenë një person që jetoj brenda një gjenerate ka përjetuar kapërcimin nga një realitet fëmijërie izolimi komunist me pak libra tek një realiteti i qasjes tek një pafundësi librash.  Pra në fëmijërinë time mbanim radhë për të siguruar libra në bibliotekë, librat e paktë tërheqës qarkullonin nëpër familje e miq si mall i çmuar,  mësimin e italishtes dhe gjermanishtes e kam nisur me libra të kopjuara me dorë në fletore shkrimi prej metodave të shtypura të pagjetshme sikur  të bëhej fjalë për skribë mesjetarë.  Sot gjendem një klikim afër miliona librave që kërkojnë vetëm kohë, vullnet, kërshëri, dëshirë, disiplinë dhe kapërcimin e bezdisë së zgjedhjes mes tyre. Me gjithë këtë bollëk, haram kush nuk lexon. Prandaj, pikërisht për këto arsye mendoj se më shumë se sa të thuhet fundi i librit, më mirë është të flitet për libra pa fund.

 

 

 

 

Comments

comments

Adri

Related Posts

Comments are closed.