Për një debat me këmbë në tokë për debatin shterp mbi identitetin shqiptar

Botuar tek revista Shenja

Opinioni publik shqiptar përballet hera herës me një rifshfaqje të përplasjeve mbi marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë dhe me sa duket provokohet shumë lehtë për këtë temë. Mjafton ndonjë problem në doganë të produkteve të ndërsjella të shkaktuara prej lobimeve të grupeve të interesit, mjafton transferimi i lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë drejt përfaqësueses së Kosovës apo së fundmi vizita e Ramës në Beograd për të ringjallur me lehtësinë më të madhe këtë debat. Kjo ripërsëritje lë të kuptohet se ky debat nuk është shteruar tamam dhe se të dy krahët në ekstremet e këtij debati nuk bëjnë asnjë përpjekje për të reflektuar dhe ndryshuar qëndrimet dhe janë të vendosur të mos lëvizin nga llogoret e pozicioneve të tyre pafundësisht edhe pse kjo gjë do të thotë injorimi i realitetit apo shpërfillje e sfidave më të mëdha konkrete që kemi.

Debati nuk ka nisur në Kosovë faktikisht por zanafillën e ka në Republikën e Shqipërisë në fillim të viteve 90-të nga një segment i ngushtë njerëzish publik të cilët ishin kryesisht pinjollë të nomenklaturës komuniste dhe i përkisnin rrethit të sektorit të tretë të financuar nga organizata e fondacione ndërkombëtare. Këto organizata të huaja duke e ditur gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në ish-republikat jugosllave dhe potencialin e përshkallëzimit të konfliktit përpiqeshin të zbehnin retorikën nacionaliste duke derdhur fonde bujare në financimin e aktiviteteve apo projekteve për këtë qëllim. Po ashtu në atë kohë kishte një pjesë të elitës e cila për inat të Sali Berishës që asokohe kishte një retorikë të theksuar për Kosovën, angazhoheshin duke përdorur një retorikë përçarëse ose distancuese. Kuptohet këtu nuk është fjala vetëm për të nëpërkëmbur kosovarët por veriorët në përgjithësi duke nxjerrë masivisht terma poshtërues si ‘çeçen’ apo ‘shpellarë’. Ngjashëm me atë që ndodh në politikën e Tiranës, ku për inat të përfitimeve në imazh që i vijnë Ramës nga hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, pesë deputetët e Partisë Demokratike shkojnë e votojnë kundër. Ky debat mori hov të madh sidomos në vitin 1995 kur Lubonja shkruante “Ne shqiptarët dhe kosovarët – ne kosovarët dhe shqiptarët” dhe njerëz të rrethit të tij i mbanin iso me shkrime e deklarata të të njëjtës frymë.

Megjithatë qoftë inatet meskine të politikës së brendshme e qoftë investimet e donatorëve të huaja, u venitën tërësisht me fillimin e luftës për çlirimin kur gjithë paria politike doli në publik me parrullën “Një komb, një qëndrim” dhe populli i Republikës së Shqipërisë, edhe pse më i varfri në Evropë e i sapodalë nga trauma e kaosit të vitit 1997, i hapi dyert vëllezërve e motrave të dëbuar nga Kosova. Në Kosovë debati i identitetit të ri kosovar, u importua në Kosovë prej Tiranës nga gazetarë si Nexhmedin Spahiu e Migjen Kelmendi që kishin jetuar në Tiranë për vite të tëra dhe e kishin ballafaquar retorikën përçarëse andej. Po ashtu ky lloj debati e krijoi një lloj popullaritetin në rrethet intelektuale të Prishtinës sidomos në prag të pavarësisë së Kosovës ku qarkullonte në një farë mënyre një opinion i tipit “ju të Shqipnisë e keni pasur shtetin pothuaj një shekull dhe nuk keni ditur ta mbani e zhvilloni, ja të shihni çdo bëjmë ne të Kosovës. Mirëpo edhe ky ligjërim në Kosovë gradualisht shkoi në periferi dhe veç rishfaqjet hera herës përkohësisht. Pra këta mbartës të këtij ligjërimi që kanë shumë vite që janë duke e përmendur të njëjtën gjë nuk reflektojnë mbi qëndrimet e tyre edhe pse ende nuk ka hedhur kurrfarë rrënje apo nuk ka fituar ndonjë popullariteti as në elitë e as tek masat. Rishfaqja e këtij debati nuk bën gjë tjetër përveçse çon dëm energji e vëmendje të cilat duhej të shkonin në probleme të tjera të shqiptarëve dhe mundësisht tek ata bashkëkombas të cilët gjenden si pakicë etnike me të drejta të papërmbushura në shtetet fqinje.

Ata që e promovojnë me kokëfortësi idenë e krijimit të identitetit të ri kombëtar të Kosovës sot thirren në idenë që pavarësinë ne sot ia kemi borxh ndërkombëtarëve, me ta kemi një kompromis për ndërtimin e një shteti të ri dhe që ky shtet të përmbushet duhet që të ketë një përputhje shtet komb. Pra në mënyrë të përmbledhur meqenëse jemi tepër të dobët e kemi bërë një ujdi me faktorin ndërkombëtar që na është gjetur në kohë të vështira, atëherë neve na takon që për hir të seriozitetit dhe mirënjohjes t’i përmbahemi kësaj ujdie me përpikmëri.

Mirëpo problemi në këtë logjikë është se kompromisi i bërë me ndërkombëtarët nuk do të thotë kurrsesi heqje dorë nga identiteti kombëtar shqiptar dhe as përqafim të një identiteti të ri kombëtar. Pakoja e Ahtisaarit përmban me të vërtetë një pilulë të hidhur për shqiptarët, të cilët, për të gëzuar vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare, janë të kushtëzuar të bëjnë diskriminim pozitiv bujar për të akomoduar pakicën serbe mirëpo kjo nuk do të thotë aspak që për t’u bërë të pëlqyeshëm ndaj ndërkombëtarëve të zëvendësojmë shqiptarizmin me kosovarizmin. Ky pretendim jo vetëm është servilizëm i tepërt por shkon ndesh edhe me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndryshe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ku flitet qartë që në hyrje për “aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar” Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i referohet ndonjë identiteti kosovar. Faktikisht ndryshe nga çfarë dëshirojnë të vënë në pah qoftë refuzuesit e realitetit të Ahtisaarit që kanë kërkesa legjitime maksimaliste kombëtare shqiptare, dhe qoftë përqafuesit e zellshëm të këtij realiteti që me qejf të madh duan ta zëvendësojnë identitetin kombëtar shqiptar me një të ri kosovar, Kushtetuta e Kosovës i jep një përparësi të lehtë popullit shqiptar përkundrejt e popujve të tjerë. Neni 3 thotë që” Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”. Pra që në momentin kur thuhet shqiptarët dhe të tjerët tregohet që pakicat kombëtare të tjera në Kosovë nuk kanë statusin e popullit “konstituent” që e kanë ta zëmë shqiptarët në Maqeodni prej Marrëveshjes së Ohrit apo serbet në Bosnje pas Dejtonit.

E njëjta gjë vlen edhe për zellin e madh të shumë zërave në Kosovë për të folur për kombëtaren e Kosovës duke dale ndesh me Kushtetutën e Kosovës e cila flet për një realitet qytetar e multietnik. Praktika e vendeve që kanë disa etni në një vend përpiqen që ta zbehin dimensionin etnik duke theksuar atë qytetar dhe përfaqësues. Faktikisht në gjuhën angleze nuk bëhet fjalë për dallim midis shtetasit dhe bashkëkombësit mirëpo në gjuhën vendase bëhet kujdes i madh që mos të vihet në pah dimensioni etnik. Kështu në Belgjikë apo Bashkimin Sovjetik quhet thjesht ekipi i Belgjikës apo Bashkimit Sovjetik në futboll (L’équipe de Belgique de football,Ssbornaya Sovyetskogo Soyuza po Futbolu) . Vende të tjera multietnike e quajnë Përfaqësuesja sikurse ka qenë rasti i Çekosllovakisë apo është sot Bosnje Hercegovina (Československá fotbalová reprezentace ; Fudbalska reprezentacija Bosne i Hercegovine). Një tjetër term që përdoret në rrethana të tilla është përdorimi i shprehjes Përzgjedhja, sikurse është rasti i Spanjës Seleçión de fútbol de España) me të cilën kemi të përbashkët edhe himnin pa tekst për mos të lënduar ndjeshmëritë e brendshme etnike. Prandaj edhe në rastin e Kosovës, që të respektohet plotësisht kushtetuta e vendit, me të mirat apo rezervat që mund të kemi ndaj saj, për sa kohë është në fuqi, në futboll duhet të garojë ndërkombëtarisht me emrin përfaqësuese, përzgjedhje apo thjesht ekipi por kurrsesi jo kombëtarja e Kosovës.

Për sa i përket krahut tjetër ekstrem të debatit, pra të zërave qe e refuzojnë Republikën e Kosovës me këtë kushtetutë e sistem qeverisës mbase më mirë do të ishte që të riktheheshin tek e kaluara dhe tek hapat e para të shtetit të parë shqiptar të shpallur të pavarur në vitin 1912. Fatkeqësisht po të krahasohet krijimi i shtetit të ri të Kosovës me shtetin e Shqipërisë shihet se kanë pasur goxha ngjashmëri sa të japin përshtypjen e një Deja Vu të historisë së shqiptarëve. Historiografia shqiptare e kohës së komunizmit për arsye ideologjike e eklipsonte sa të mundte rolin vendimtar të faktorit ndërkombëtar në mundësimin e shtetit të parë shqiptar. Ashtu sikurse krijimi dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës është bërë fal mbështetjes dhe në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar, edhe ekzistenca e Shqipërisë do ishte e pamundur pa ndihmën e fuqive të huaja dhe pa konjukturën e favorshme ndërkombëtare.

Po të analizohet fillimi i shekullit XIX, duket qartë se konjuktura ndërkombëtare ishte vendimtare për lindjen dhe hapat e parë të shtetit tonë. Ishte këmbëngulja e Austro-Hungarisë dhe Italisë që ishin pjesë e Aleancës Trepalëshe prej vitit 1882 ajo që na mundësoi shtetin. Ky bllok e mbështeti pavarësinë e Shqipërisë në përpjekje për të penguar zgjerimin e influencës së Rusisë nëpërmjet shteteve satelitë si Mali i Zi e Serbia që kishte në Ballkan. Bile hulumtimet e fundit të arkivave austro-hungareze nxjerrin prova të pakundërshtueshme se një pjesë e mirë e rilindësve tanë ishin madje të paguar dhe orientuar nga Vjena për vite me radhë. Trupat e Fuqive të Mëdha u angazhuan në çlirimin e Shkodrës e mandej Fuqitë e Mëdha i imponuan shtetit të ri shqiptar një princ gjerman protestant , Wilhelm von Wied si kusht për ekzistencën e tij. Veprime këto që duke patur parasysh kontekstin e asaj kohe mund të krahasohen me njëfarë UNMIK-u dhe Wied ngjashëm me Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm. Po ashtu në konferencën e Paqes së Parisit që u zhvillua pas Luftës së Parë Botërore ishte sërish konjuktura e favorshme ndërkombëtare që parandaloi zhdukjen e pavarësisë së brishtë të shtetit shqiptar. Ishte konfirmimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  si fuqia kryesore fitimtare e luftës dhe filozofia e imponuar prej Woodrow Wilson ajo që mundësoi kundërshtimin e planit të Britanisë, Francës dhe Italisë për copëtimin e Shqipërisë midis fqinjëve të saj.

Me pak fjalë do të kishte qenë shumë mirë dhe e pëlqyeshme që asokohe ne shqiptarët t’i kishim pasur punët më mirë. Natyrshëm do të kishte qenë më e dëshirueshme që krijimi dhe konsolidimi i shtetit shqiptar të ishte më normal dhe që shteti i parë shqiptar të përfshinte të gjitha trojet ku jetonte kombi ynë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Republikën e Kosovës. Mirëpo sot jemi në këtë situatë e ne s’mund të rrimë thjesht duke vajtuar e u ankuar për të kaluarën, por të ecim përpara e konsolidohemi me këto që kemi. Qoftë për ata që duan një Kosovë qytetare e evropiane e qoftë ata që duan të ndjekin aspiratën shekullore kombëtare tonë, konsolidimi i shtetit të Kosovës është pa asnjë dyshim interes i përbashkët. Edhe ata që aspirojnë për të bërë bashkimin e dy shteteve duhet ta kuptojnë se ky projekt nuk mund të bëhet pa u konsoliduar shteti i Kosovës. Historia bashkohore njeh bashkimin e jemenitëve në 22 maj 1990 dhe të gjermanëve në 3 tetor 1990 dhe në të dy raste bëhej fjalë për bashkimin e dy shteteve të pavarura. . Ndjekja ekskluzivisht i brengave e pishmanllëqeve të së kaluarës na pamundëson që të merremi me problemet e të sotshmes dhe të ballafaqojmë sfidat e së ardhmes. Prandaj është mirë që të dy krahët të largohen nga pozicionet ekstreme, të reflektojnë mbi pozicionet e tyre dhe të gjejnë një të mesme të përbashkët.

 

 

 

 

 

Comments

comments

Adri

Related Posts

Comments are closed.