Shansi i dytë i Topit për me i ba mirë të djathtës

Shansi i dytë i Topit për me i ba mirë të djathtës

Shansi i dytë i Topit për me i ba mirë të djathtës

Botuar tek gazeta Panorama

 

Kriza ekstreme e presidentit dhe acarimet e njëpasnjëshme që kanë karakterizuar muajt e fundit kanë bërë që nga debati publik dhe nga memoria kolektive të fshihet fare rezultati i zgjedhjeve lokale të shkurtit. Mirëpo propozimi e më pas realizimi i kandidaturës së Z. Bamir Topi për president pikërisht e ka rrënjën e vetë tek zgjedhjet lokale të 18 shkurtit.

Këto zgjedhje ishin padyshim një goditje e rëndë për Partinë Demokratike sido që ta bësh analizën. Po të shihet se nga kush administrohen shqiptarët lidhur me problemet që i përkasin qeverisjes vendore, duket qartë që pothuaj 2/ 3 e shqiptarëve kanë një kryetar bashkie apo kryetar komune të majtë. Po të bëhet një analizë krahasimore me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 duket qartë që kësaj radhe Partia Demokratike u penalizua nga vetë të djathtët të cilët pakënaqësinë dhe zhgënjimin e tyre e manifestuan nëpërmjet mosdaljes në votime. Partia Demokratike humbi në ato qytete që kishin paralajmëruar ardhjen në pushtet gjatë vitit 2003 dhe që siguruan rotacioni në vitin 2005. Kështu humbi Tiranën ku në vitin 2005 kishte marrë 9 deputetë nga 12 të mundshmit, Durrësin ku kishte marrë 6 nga 6 të mundshmit apo qytete si Lushnja, Korça e Vlora ku PD kishte marrë më shumë deputetë se PS. Lidershipi i PD-së pretendoi një fitore plebishitare në proporcional duke proklamuar një konfirmim publik të qeverisjes së djathtë. Mirëpo po të krahasohet rezultatit i proporcionalit të PD-së në vitin 2007 kur pushteti ishte në dorë të PD-së, me proporcionalin e vitit 2003 kur pushteti ishte në duart e socialistëve të cilët asokohe u akuzuan edhe për vjedhje masive votash shohim që kemi një zbritje nga rreth 34% të vitit 2003 në 20.6% në vitin 2007 që dëshmon për një firo prej 1/3 –ës së elektoratit.  Ky rezultat më i ulti historik PD-së padyshim që kërkonte një analizë të thellë, dhe mbajtje përgjegjësie e dhënie llogarie për një humbje kaq drastike të besimit në publik. Nga ana tjetër PS nuk pati ndonjë firo të madhe duke patur parasysh se votat e dikurshme të 2003-it janë ndarë midis LSI dhe PS, dhe  LSI ka marrë sivjet 9.19% dhe PS 23.1%, pra e majta në pozicion goxha më të konsoliduar.

Po të shikohet figura e Bamir Topit dilte qartë që ky ishte i vetmi person brenda Partisë Demokratike që mund të ndërmerrte një kritikë e reformë të brendshme duke kërkuar llogari e vënë para përgjegjësisë përfaqësuesit e maxhorancës në qeverisje lidhur me dështimin elektoral dhe në mënyrë të veçantë lidhur me zhgënjimin e shkaktuar tek mbështetësit tradicionalë. Kjo pasi Topi nuk ishte pjesë kryesore e maxhorancës, ishte jashtë qeverisë, ka qenë i moderuar lidhur me nismat e maxhorancës dhe hera herës ka dëshmuar edhe rezistencë lidhur me disa prej nismave. Po ashtu edhe brenda parlamentit pavarësisht se ishte kryetari i grupit parlamentar, roli i tij si zëri përcjellës i maxhorancës në parlament ishte i eklipsuar nga kryetarja me zell të papërmbajtur që ka parlamenti. Topi nuk ka në kurrizin e vetë mëkatet e problemeve të qeverisjes së PD-së gjatë mandatit të parë në fillim të viteve 90-të. Përpos kësaj Topi për nga origjina e tij familjare dhe mënyra e bërjes së karrierën përkon pikërisht me elektoratin tradicional të djathtë të Partisë Demokratike dhe kjo gjë i jepte një legjitimitet të pashoq. Me pak fjalë zgjedhjet vendore të vitit 2007 kërkonin një analizë të mirëfilltë brenda Partisë Demokratike, jo vetëm në të mirën e PD-së por edhe të Shqipërisë, dhe i vetmi që mund ta ndërmerrte këtë reformë rigjeneruese në këtë parti ishte Topi. Dhe në fakt vëmendja e publikut shqiptar dhe sidomos e simpatizantëve të së djathtës u përqendruan tek ai me shpresën e madhe që më në fund e djathta po dëshmonte se kishte pluralizëm përbrenda e se ishte e aftë për t’u shkëputur nga e kaluara për t’i bërë ballë sfidave të së ardhmes. Një moment historik, një pikë kthese që e vendos njeriun në sprovë për të dëshmuar virtuozitetin e dinjitetin.

Fillimisht PD-ja u duk se u trondit nga rezultati, se do të reflektonte, reformohej hapej dhe rigjenerohej dhe kjo është arsyeja pse asnjë reagim zyrtar nuk doli në ditët që vijuan menjëherë pas zgjedhjeve. Mirëpo këtu ndërhyri talenti i  admirueshëm i mbijetesës së lidershipit aktual të PD-së për ta menaxhuar situatën duke e shmangur mbajtjen e përgjegjësisë. Nisur nga një përvojë e kahershme e stërholluar e menaxhimit me sukses të dështimeve, që për nga përvoja e pasur me dështime gjatë së kaluarës ka bërë që ta shndërrojë  këtë aftësi në mjeshtëri, lidershipi bëri një manovër taktike për ta neutralizuar Topin. I premtoi atij postin e presidentit në shkëmbim të heshtjes. Dhe kështu ndodhi, duke e mbajtur Topin në tiro me joshjen e karriges së presidentit, Partia Demokratike jo vetëm që nuk bëri një analizë të humbjes së zgjedhjeve vendore por e çoi vëmendjen publike në mënyrë krejt artificiale tek një problem që do të donte gjashtë muaj të tjerë për t’u bërë domethënës. Sakaq brenda PD-së përveçse disa qarkullime brenda së njëjtës klike pushteti asnjë masë reaguese nuk u ndërmor lidhur me zgjedhjet.

Për të shkëputur tamam vëmendjen nga zgjedhjet lokale jo vetëm që u hap hershëm çështja e presidentit, por u hodhën për konsum diversionist, shashka të tipit nisma reformuese që ngopën debatin publik e fashitën memorien dhe vëmendjen kolektive nga zgjedhjet e humbura vendore. E kështu u fol për nisma të tipit reformë elektorale të ndryshimit të sistemit ekzistues elektoral, bërja e parlamentit me dy dhoma duke krijuar një senat, ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit duke e zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli e kështu me radhë.

Ky premtim i instrumentalizuar e kishte kryer funksionin e vetë duke çarmatosur një minë që po të kishte plasur në kohën e vetë do të kishte tronditur të djathtën.  Në momentet kur mbështetja e lidershipit të PD-së për Topin u lëkund ky i fundit u revoltua dhe i bëri shantazh pjesës në pushtet të maxhorancës me akuzat që i takonte ti bënte shumë muaj shkuar. Ai deklaroi se PD-ja është zaptuar nga ish njerëz të nomenklaturës, dhe se po bën  kompromise me armiqtë historik që edhe në kushtet e një realpolitike racionale të ftohtë zor se mund të akomodohen. Deklarata që votuesit e djathtë i kanë nënshkruar në kutitë e votimit që në shkurt.

Berisha ia doli që me makinacione nga më të ndryshmet dhe fal gabimeve dhe paaftësisë së opozitës, ta nxirrte Topin president. Një e lozur e bukur e lojës që është sprova që nxjerr në pah ata zanatçinjtë që pavarësisht nga gjykimi moral që mund t’iu bëhet për rezultatet a motivet e veprimtarisë së tyre,  meritojnë heqjen e kapeles për profesionalizmin që i mban në krye të lojës për të dytën dekadë duke diktuar rregullat e shijuar rezultatet e talentit të tyre.

Nëse në shkurt Topi e kishte të vështirë që të bënte të hapur një kritikë brenda të djathtës pasi kishte frikë për fatin e karrierës së vetë brenda PD-së. Tanimë ai i ka duart të lira pasi është mbështjellë me pushtetin e presidentit. Asokohe çdo rebel që do të ngrihej kundër lidershipit të PD-së si Ngjela, rrezikonte qartë një linçim kolektiv nga të zellshmit  e partisë si dhe një dëbim nga partia. Në ato pak hapësira dhe ekuilibra delikatë brenda partisë Topi nuk ka hezituar të dëshmojë gjatë të kaluarës individualitetin e tij duke ruajtur një ton të përmbajtur e moderuar, duke i quajtur i pari ministrat e qeverisë apatikë apo duke mos e votuar ligjin që cënonte interesat e ish pronarëve. Mirëpo si president ai e ka të garantuar imunitetin dhe protagonizmin politik për pesë vite të tjera pasi do të jetë në këto vite aktor i doemosdoshëm qoftë për PD-në. Bile në rast se PD-ja humb zgjedhjet e vitit 2009 ai ka për t’u shndërruar në personalitetin më të fuqishëm politik të së djathtës për tre vitet që do pasonin ndonjë rotacion të mundshëm politik duke e çimentuar pozicionin e vetë.

Prandaj nëse shpalos karakter të fortë e të palëkundur me postin e presidentit Topi mund të kontribuojë në nxitjen dhe konsolidimin e pluralitetit brenda PD-së duke u bërë rival me lidershipin aktual dhe rikthyer garën në një parti të atrofizuar nga kontrolli i tepërt. Së dyti presidenti Topi nëse qëndron vetvetja dhe konsolidon pozitat e tij do ta ndihmojë PD-në duke i rikthyer kësaj partie identitetin e djathtë që këto vitet e fundit është nëpërkëmbur nga një populizëm i tejskajshëm. Së treti si personazh i përmbajtur dhe i moderuar në tone e sjellje Z. Topi mund të ndikojë në zbutjen e agresivitetit dhe polarizimit që karakterizon politikën shqiptare duke bërë të mundur që PD ja të rivendosë ura komunikimi me ato segmente të shoqërisë shqiptare dhe zona apo krahina të Shqipërisë, me të cilat i ka këputur. Me pak fjalë nëse i jep dinjitet postit të tij të ri dhe nëse mban premtimin e bërë në fjalimin e përurimit të presidencës së tij ku deklaronte se nuk do të përkulej lehtë, Topit i jepet shansi që t’i japë së djathtës, pluralitetin, identitetin dhe një imazh më pak agresiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top