Shqipëria e humbur dhe rruga për ta shpëtuar

Shqipëria e humbur dhe rruga për ta shpëtuar

Shqipëria e humbur dhe rruga për ta shpëtuar
botuar tek gazeta Shqip

Një ndër epokat më të lavdishme të lëvizjes kombëtare shqiptare ka qenë padyshim lufta për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë prej forcave të Lidhjes së Prizrenit dhe popullsisë trime vendase gjatë dhjetorit 1879-janar 1880. Betejat e drejtuara nga Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Haxhi Zeka dhe Sulejman Vokshi e të tjerë heronj, edhe pse të zhvilluara në disfavor të shqiptarëve, të cilët ishin më të paktë në numër dhe me një armatim inferior para forcave malazeze, që ishin modernizuar prej rusëve, përfunduan me disfatën e trupave të knjaz Nikollës, duke e detyruar këtë të fundit që t’u ankohej Fuqive të Mëdha e të kërkonte një tjetër territor në vend të krahinës së pathyeshme të Plavës dhe Gucisë. E njëjta krahinë, që aq shumë ka pas sakrifikuar për çështjen kombëtare, sot gjendet në një situatë pikëlluese.

Si pasojë e presionit të vazhdueshëm sllav, vetëm rreth 10% e popullsisë në këtë krahinë ka ngelur shqiptare, kurse pjesa tjetër e ka humbur gjuhën dhe vetëdeklarohen si boshnjakë ose muslimanac. Më shumë shqiptarë të kësaj zone gjenden emigrantë në SHBA sesa në trojet e tyre. Ky asimilim vazhdon edhe sot në fillimin e shekullit të 21, pikërisht si pasojë e izolimit të skajshëm në të cilin gjendet kjo krahinë e rrethuar nga malet dhe që të vetmen rrugë komunikimi ka atë me Murinon dhe Andrijevicën, ku rastisin që të gjenden edhe serbët më radikalë të gjithë ish-Jugosllavisë. Shqipëria dhe Kosova gjenden përtej maleve, mirëpo rruga e vetme për të shkuar në Kosovë për banorët e kësaj zone zgjat qindra kilometra, kurse lidhja me Shqipërinë nëpërmjet Vermoshit është e pavlefshme, sepse rruga Vermosh-Shkodër është jashtëzakonisht e keqe dhe jofunksionale për pjesën më të madhe të vitit.

Për të siguruar ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të ngelur në Komunën e Plavë-Gucisë dhe për të mundësuar mbijetesën ekonomike, e vetmja zgjidhje do të ishte që të ndërtohej rruga Vermosh–Shkodër dhe të lobohej për ndërtimin e rrugës Deçan- Plavë, duke krijuar një rrugë të dytë kombëtare me vlera të njëjta me rrugën Durrës-Morinë-Prishtinë, që është duke u ndërtuar.

Në situatën aktuale, Plava dhe Gucia janë gjeografikisht tejet të izoluara, gjenden të vendosura si një xhep, gjë që e bën shumë të vështirë aktivitetin ekonomik, duke i dënuar më tej me varfëri, emigrim dhe sipas të gjitha gjasave me asimilim të mëtejshëm. Në këtë periudhë, në këtë krahinë, përveç atyre që kanë antena satelitore, nuk ka asnjë mundësi për të kapur kanale televizive apo radioje në shqip. Po të shikohen shkollat e pakta për nxënësit shqiptarë, duket qartë që ato janë shumë të lëna pas dore krahasuar me shkollat e boshnjakëve të fshatrave përreth. Hapja e pikës kufitare të Grncarit ka qenë një arritje e madhe në kuadër të integrimit mbarëkombëtar, mirëpo nëse kjo gjë nuk shoqërohet me investime në infrastrukturë dhe me lidhjen më të mirë të Vermoshit me Shkodrën, dobia është e kufizuar. Për ta bërë këtë rrugë akoma më të rëndësishme do të ishte e volitshme që ideja e hapjes së pikës kufitare të Grncarit të shërbejë si një nismë për një projekt më të madh e më domethënës nga qeveria, e cila nismën e bashkimit infrastrukturor të shqiptarëve s’duhet ta kufizojë vetëm me rrugën Durrës-Morinë.

Konkretisht, që kjo rrugë të bëhet parësore dhe të tërheqë shumë udhëtarë do të ishte e nevojshme që qeveria e Tiranës të ndërtojë sa më shpejt rrugën Vermosh-Shkodër, në mënyrë që të bëhej sa më efikase lidhja me Plavën, por edhe për të luftuar varfërinë e banorëve të alpeve shqiptare. Fshatarët e zonës së Vermoshit janë vetë një tjetër copë Shqipërie e lënë pas dore nga Tirana, e sëmurë nga mjerimi e injoranca dhe e zhytur në tmerrin e gjakmarrjes. Për të ilustruar izolimin e kësaj zone mjafton të përmendet fakti që policët e pikës kufitare Bashkimi, që lidh Vermoshin me Gucinë, si pasojë e borës dhe mungesë së rrugëve kthehen në shtëpitë e tyre në Shkodër duke kaluar kufirin dhe marrë autobusin për në Podgoricë e prej Podgoricës në Shkodër prej Hanit të Hotit. Madje edhe energjinë që i mban ngrohtë në dimër e marrin nga Mali i Zi. Kjo është fytyra me të cilën përfaqësohet shteti shqiptar ndaj Malit të Zi e prandaj nuk është çudi që shumë banorë të Plavës dhe Gucisë nuk ndihen krenarë për identitetin shqiptar dhe heqin dorë prej tij.

Mali i Zi mund të joshet lehtë për t’u përfshirë në ndërtimin e kësaj rruge, pasi kostoja për shtetin malazez do të ishte minimale, duke qenë se një pjesë të mirë të trajektores e ka të shtruar me rrugë dhe e ka terrenin kryesisht fushor. Përpos kësaj, qeveria e Podgoricës do mund të merrte si bonus një pikë të re kufitare në fshatin Tamarë prej nga veriu i Malit të Zi mund të lidhej më shkurt me Podgoricën. Pikësëpari një rrugë e tillë do t’i shërbente vetë komunikimit brenda Malit të Zi, pasi Plavë-Gucia, Andrijevica, Berana dhe Rozhaja do të lidheshin shumë më shpejt me Podgoricën nëse do të futeshin në territorin shqiptar në Vermosh, të zbrisnin përgjatë luginës së Cemit deri në Tamarë dhe mandej të futeshin prapë në territorin malazez për të shkuar në Podgoricë.

Përpos kësaj, do të duhej që qeveria e Shqipërisë të merrte një rol nismëtar, duke nxitur qeverinë e Malit të Zi, si dhe qeverinë e Kosovës për të bërë sa më shpejt rrugën Deçan-Plavë. Rruga Deçan-Plavë në projektet e vjetra të ish-Jugosllavisë është parashikuar të jetë afërsisht 30 km, mirëpo tani që manastiri i Deçanit ka fituar status të veçantë duhet bërë një devijim që e zgjat rrugën me 6 km, duke e bërë 36 km. Në këto plane është parashikuar edhe një tunel rreth 2500 m, që është i ndarë përgjysmë në territoret respektive të dy shteteve. Mandej Plavë Vermosh është 20 kilometra, ndërsa Vermosh-Shkodër është diku te 70 km. Fatmirësisht Republika e Shqipërisë është duke ndërtuar tashmë rrugën Hani i Hotit-Shkodër, që është 35 km, që do të thotë se mbeten vetëm 35 km për t’u ndërtuar nga ana e Shqipërisë. Shkodër-Ulqin është vetëm 38 km, kurse Shkodër-Tiranë është 115 km.

Rruga Deçan-Plavë do të rrisë tregtinë dhe marrëdhëniet ekonomike me Kosovën dhe do të afrojë më shumë turistë kosovarë, pasi rruga Plavë-Prishtinë bëhet diku tek 132 km. Përpos kësaj, kjo rrugë e bën Plavë-Gucinë një pikë transiti të komunikacionit midis Kosovës dhe Shqipërisë, pasi për disa rajone kosovare Shkodra bëhet më afër nëpërmjet kësaj rruge sesa rrugës Durrës-Morinë që është duke u ndërtuar. Pikë transiti bëhet edhe për pushuesit e shumtë kosovarë që shkojnë në Ulqin, pasi linja aktuale Prishtinë-Rozhajë-Ulqin është 358 km, ndërsa me rrugën e re Prishtinë-Plavë-Ulqin bëhet 260 km. Kjo rrugë mund të shërbejë edhe si rruga kryesore e Shqipërisë për t’u lidhur me Serbinë dhe shtetet e tjera të Europës Qendrore, sepse qytetarëve të Shqipërisë do t’u leverdiste më shumë të udhëtojnë prej Shkodrës-Vermosh-Plavë e mandej të udhëtojnë për në Serbi, duke dalë në Priepolje nëpërmjet Bjeljopoljes, ndërkohë që aktualisht duhet të bëjnë një rrugë të gjatë deri në Shkup e prej aty shkojnë në Serbi. Një rrugë e tillë do t’u shërbente të tri shteteve, sepse oferta turistike malore e Plavës dhe Gucisë do të integrohej me atë të Bjeshkëve të Belegut dhe Gjeravicës të Kosovës dhe me atë të alpeve shqiptare, duke u bërë si paketë turistike e përbashkët për të qenë akoma më konkurruese në nivel ndërkombëtar. Kjo rrugë pra do të shërbejë për disa destinacione njëherazi, duke e shndërruar Plavën e Gucinë nga një zorrë qorre në një udhëkryq rrugësh të rëndësishme për gjithë shqiptarët e mbarë rajonin, duke sjellë zhvillim dhe mirëqenie dhe duke i vënë fre emigrimit dhe asimilimit.

Me pak fjalë kjo rrugë u leverdis të tri shteteve që kufizohen afër Plavës e Gucisë, sepse e lehtëson komunikimin mes tyre dhe vetë komunikimin nëpër mbarë rajonin. Për këtë arsye, nëse nxirret më shumë në pah rëndësia e kësaj rruge jo vetëm që të tria shtetet do të kenë arsye të plotë për ta justifikuar investimin që nuk është shumë i madh për secilin, por mund të nxisë edhe Bashkimin Europian dhe donatorë të tjerë që të investojnë për ndërtimin e saj, pasi do të nxiste integrimin rajonal dhe bashkëpunimin mes vendeve fqinje. Një arsye më shumë që do i shtyjë donatorët e huaj për të mbështetur ndërtimin e kësaj rruge është edhe fakti që kjo rrugë do të prekte dhe do të lidhte më shumë qytetarë të kombësive të larmishme (shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë) dhe feve të ndryshme (myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj), duke nxitur pajtimin dhe bashkëpunimin mes tyre. Ekzistojnë fonde IPA apo nisma të eurorajoneve që do t’i shkonin shumë për shtat kësaj nisme. Po ashtu zonat ku do të kalojë rruga qoftë në Shqipëri, qoftë në Mal të Zi dhe qoftë në Kosovë, janë ndër më të varfrat të vendeve përkatëse dhe kjo rrugë mund të financohet edhe me fondet e ndryshme të zhvillimit dhe të luftës kundër varfërisë të donatorëve perëndimorë si USAID, Banka Botërore etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top