Shqiptarët në Euro 2016: na llogarisni edhe ne

Botuar tek Revista Flatra

Gjatë gjithë kohës që isha i infektuar nga atmosfera e ndezur kolektive e Kampionatit Evropian ndër mend më vinte një këngë e titulluar “Na llogarisni edhe ne” e ngulitur në kokë prej fëmijërisë pasi ishte e stërdëgjuar prej Radio Televizionit Shqiptar në kohën e diktaturës së qoftëlargut Enver.   Kënga ka një frazë të refrenit që thotë “ … edhe pse të vegjël, jemi fëmijë, na llogarisni edhe ne…”. Më duket se shprehja na llogarisni edhe (duhet shpjeguar se me këtë shprehje nënkuptohet “mos na nënçmoni” e jo “kini besim tek ne” sikurse mund të merret në nëndialektin e Kosovës” pra një përpjekje e shqiptarëve për të marrë hisen e tyre në kontinent fraza që më së miri përshkruan mesazhin e pjesëmarrjes së kombëtares sonë në EURO 2016.

Futbolli nuk duhet parë thjeshtë si një sport ekipor ku një tufë burrash ndjekin një top por edhe si një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar sot sidomos kur bëhet fjalë për lidhjen mes sportit dhe diplomacisë publike. Futbolli mund të konsiderohet pa frikë si një ndër fenomenet më universale që ekziston në botë sot, që ka penetruar çdo cep të rruzullit tokësor, madje më shumë se demokracia, të drejtat e njeriut apo ekonomia e tregut. Me hyrjen e Kosovës dhe Gjibraltarit në FIFA, organizata botërore e futbollit u bë me 211 anëtare pra 18 vende më shumë se  Organizata e Kombeve të Bashkuara. Prandaj përfaqësimi dinjitoz jo vetëm i kombëtares por i të gjithë 30 lojtarëve shqiptarë që luajtën me 3 ekipe të ndryshme përfaqësuese me jehonën që sollën, ndikojnë në përmirësimin e ndjeshëm të imazhit ndërkombëtar të popullit tonë.

Entuziazmi i madh që përcolli këtë kampionat sinjalizoi gjithashtu për një ndryshim epoke për shqiptarët të cilët nuk synojnë më të përmbushin nevoja bazike për të kënaqin dëshirën për prestigj, nuk janë më thjesht duke synuar mbijetesën por po kërkojnë status ndërkombëtar. Shenjë e etapës së re në të cilën po hyn shoqëria shqiptare është definitivisht sjellja e tifozerisë sonë e cila mori një jehonë ndërkombëtare të madhe dhe ra në sy në kontrast të thellë me huliganizmin e tifozëve anglez e rus. Nëse fitorja më e madhe  e kombëtares ishte kualifikimi e pjesëmarrja për herë të parë në këtë garë prestigjioze, gjatë EURO 2016 fitoren më të ëmbël e dhuruan fansat model të ekipit tonë të cilët u dëshmuan shumë më të urbanizuar, kozmopolitë e të këndshëm se sa pritej nga kushdo. Opinioni evropian kishte një pritshmëri të ulët ndaj shqiptarëve mirëpo loja e ekipit tonë dhe sjellja e tifozëve tanë çoi në thyerjen e këtyre miteve dhe stereotipeve duke demonstruar se shoqëria shqiptare kanë ecur shumë më shpejt se pritshmëritë ndërkombëtare.  Përpos kësaj ishte para mbarë Evropës edhe një pasqyrë e evoluimit tonë si shoqëri dhe tregoi se populli ynë ka ecur shumë më para në procesin e  evropianizimit se pseudo-elita politike shqiptare e cila ende është peng e dhunës, gjuhës së urrejtjes dhe marazit të trashëguar prej së kaluarës.

Megjithatë impaktin më të madh përvoja e këtij kampionati e ka pasur të brendshëm . Kombëtarja e futbollit ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm historik në forcimin e unitetit dhe vetëdijes kombëtare duke bërë që të gjithë shqiptarët të linin mënjanë zënkat apo inatet banale të përditshme me njëri tjetrin dhe të mbanin frymën me ankth para ekranit duke parë ndeshjet e futbollit. Suksesi i kombëtares sonë në kualifikim për në Euro 2006 si dhe performanca relativisht e mirë atje nxori gjithashtu në pah se bashkimi kombëtar nuk është vetëm dimension sasior por edhe cilësor. Pra fakti që në kombëtare kontribuojnë me sukses shqiptarë nga viset tona në shtete të ndryshme lë të kuptohet se sa shumë më shumë sukses do të kemi nëse jemi më të lidhur, më solidar e më bashkëpunues me njëri tjetrin si komb. Po ashtu, në këtë kuadër, një tjetër element që më shkon në mendje është padyshim ringjallja e rolit historik të diasporës e cila ka furnizuar kombëtaren tonë me lojtarët më të mirë. Ashtu sikurse dikur bënin të njëjtën gjë një shekull më parë shoqatat e mërgatës sonë në  Boston, Bukuresht, Stamboll, Sofje apo Kajro.

Së fundmi më duket se dobia kryesore lidhet me shtimin në besimin në vetvete. Nëse mund t’ia dalim që të kualifikohemi në Euro 2016 e të lëmë prapa përfaqësueset e vendeve fqinje; nëse mund t’ia dalim të përfaqësohemi me dinjitet me futbollistët dhe tifozët tanë në një kampionat të madh, atëherë me siguri mund t’ia dalim me sukses në zhvillimin e demokracisë, ekonomisë dhe lirive. Pra dëshmi e realizueshmërisë dhe mundshmërisë së përmbushjes së aspiratave tona. E kishim nevojë për këtë overdozë optimizmi të futbollit për t’iu kundërpërgjigjur reve të errëta të cinizmit, fatalizmit, pesimizmit apo disfatizmit që zymtësojnë ligjërimin e përditshëm publik shqiptar. Behari sivjet ka qenë po ashtu shumë i zymtë e karakterizuar me mot të vranët e reshje të shpeshta mirëpo në fushën e sportit pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA si dhe pjesëmarrja e kombëtares sonë në EURO 2016 e ka bërë këtë behar të shkëlqyer.   Tanimë ngelet të presim me shpresë një medalje nga Majlinda Kelmendi në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike të Rios, për t’i vënë qershinë mbi tortë në këtë behar të shndritshëm të sportit shqiptar.

 

 

Adri

Related Posts

Comments are closed.