Teknologjia digjitale si revolucion i ri industrial

Teknologjia digjitale si revolucion i ri industrial

Orteku i teknologjisë digjitale është duke e marrë me vete përpara njerëzimin dhe duke e përmbytur me arritje të shumta në fusha si inteligjenca artificiale, robotika, kompjuterët kuantik, nano-teknologjia apo printimi 3-D. Bëhet fjalë jo vetëm për një përparim galopant, por edhe për një shkrirje të teknologjive dhe shkencave të aplikuara me njëra tjetrën që po mjegullojnë e zbehin dallimet mes asaj që është digjitale, fizike dhe biologjike, dhe nuk është rastësi që profesori Klaus Schwab e ka quajtur këtë hov një revolucion të ri industrial ose më saktë Revolucionin e Katër Industrial.

Termi revolucion industrial është përdorur për herë të parë nga ekonomisti francez i fillim shekullit të XIX për të përshkruar ndryshimet ekonomike, kulturore dhe sociale që vinin si pasojë e përdorimit të shkencës dhe teknologjisë në ekonomi. Revolucioni i Parë Industrial konsistonte në ndryshimet që erdhën si pasojë e futjes së mekanikës në prodhim si dhe shfrytëzimi i energjisë së avullit dhe ujit. Zanafilla e këtij revolucioni mendohet se është viti 1784 kur Henri Cort u dha fund punishteve tradicionale dhe krijojë furnaltën e parë që prodhonte hekur më të pastër, më të fortë, në sasi më të mëdha dhe cilësi shumë më të lartë. Revolucioni i Dytë Industrial i përket periudhës 1870-1914 dhe lidhet me përdorimin e elektricitetit dhe me riorganizimin e prodhimit duke I dhënë më shumë peshë specializimit të punë dhe nisjes së prodhimit masiv. Revolucioni i Tretë Industrial ka të bëjë me kalimin nga teknologjia mekanike dhe elektrike në atë elektronike dhe digjitale dhe detonatori i këtij revolucioni konsiderohet viti 1969 kur edhe mesazhi i parë I dërguar nëpërmjet ARPANET-it shënoi edhe embrionin e botës së internetit.

Në kuadër të Revolucionit të Katërt pra të kësaj epoke të re digjitale studiuesit e fushës kanë nxjerrë në pah gjashtë tendenca kryesore Pikësëpari teknologjia digjitale është duke transformuar radikalisht dimensionin social pasi marrëdhënia mes njerëzve po ndikohet në mënyrë intensive prej pranisë së kudondodhur të teknologjisë së informacionit dhe internetit. Prirja e dytë është shtimi i kompjuterëve, I qasjes në to dhe serverë gjigandë për nga memoria falë rënies së përmasave dhe kostove të teknologjisë duke bërë që mundur që të gjithë të kemi qasje të lehtë në kompjuterë shumë të fuqishëm e prej tyre të kemi qasje në një pafundësi informacioni. Tendenca e tretë është shpërndarja kapilare e internetit dhe teknologjisë. Mikroçipat po bëhen sa vjen e më të vegjël, më të lirë dhe më të mençur dhe prania e tyre është gjithkund në jetën tonë duke u future tashmë në çdo cepë të shtëpisë, në veshje e sende personale e për mos të folur pastaj në shërbime publike, në sistemet e transportit apo në vendet e punës.

Tendenca e katërt lidhet me shtimin e pranisë së inteligjencës artificiale dhe përdorimin e sasive të stërmëdha të të dhënave. Avancimi në programe kompjuterike kombinuar me sofistikimin e teknologjisë dhe rritjen e qasjes në një sasi të jashtëzakonshme të dhënash ka bërë që robotika t’i afrohet gjithnjë e më shumë inteligjencës artificiale dhe marrjes së vendimeve autonome nga makinat. Revolucioni i katërt po krijon gjithashtu mundësinë për modele të reja ekonomike nëpërmjet teknologjisë blockchain e cila garanton nivel të lartë sigurie në një rrjet në mënyrë të decentralizuar pa pasur nevojën e një autoriteti qendror që të sigurojë besim e kontroll. Kjo prirje për një ekonomi të shpërhapur dhe decentralizuar falë teknologjisë e ka parë aplikimin e parë me bitcoin dhe po transformon gradualisht në mënyrë thelbësore sektorë të tërë të ekonomisë. Trendi i gjashtë lidhet me digjitalizimin e sendeve apo me sendërtimin e digjitales dhe që lidhet me mundësinë tonë për të printuar në 3 Dimensional duke përkthyer informacionin digjital dhe e materializuar në formësimin e një lënde të parë fizike. Ky zhvillim në vetvete jo vetëm transformon prodhimin industrial tradicional por mund të ketë aplikime të tjera të panumërta edhe në jetën tonë të përditshme duke ofruar një gamë të gjerë mundësish të reja.

Masivizimi i teknologjisë digjitale duhet thënë se ka bërë sot që mediat janë të tejmbushura me paralajmërime apo kritika për dëmet që sjell teknologjia digjitale në kulturën tonë duke ngritur alarmin për shembull për iluzionet e marrëdhënieve të rreme që sjellin mediat sociale. Këto zëra thonë se përdorimi intensive I mediave sociale po e bën gjithnjë e më të vështirë që të dallojmë marrëdhëniet ndërnjerëzore domethënëse që ndërtojmë në jetën reale nga ato rastësore e kalimtare që formohen nëpërmjet mediave sociale. Po ashtu dendur përmendet si rrezik cenimi i jetës private dhe fakti që teknologjia dhe jeta sociale i shtyn njerëzit që të jenë më të hapur e të rrëfejnë më shumë informacione të hollësishme intime e mandej ky informacion në duar dashakeqe mund të keqpërdoret e t’i dëmtojë. Një tjetër kritike që haset dendur është ajo për rrëzimin e rendimentit dhe shtimin e dembelizmit apo prokrastinimit pasi punëtorët apo studentët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë të vyer duke u marrë me internetin dhe rrjetet sociale duke i kushtuar më pak kohë e vëmendje punëve produktive. Megjithatë pavarësisht rreziqeve dhe kostove që mund të ketë përdorimi i teknologjive të reja unë besoj se ato janë të papërfillshme krahasuar me përfitimet dhe dobitë që marrim prej këtij përdorimi.

Alarmistët sensacionalistë që hiperbolizojnë rreziqet dhe dëmet e këtij Revolucioni të Katërt Industrial deri diku mund t’i krahasoj me lëvizjen e luditëve të shekullit të XIX që dolën kundër makinerive që erdhën në revolucionin industrial. Konkretisht bëhet fjalë për punonjës tekstilë të pakualifikuar ose të vetë-punësuar të cilët u lanë pa punë si pasojë e përdorimit të teknologjive të reja dhe duke I konsideruar makinat si burim të së keqes filluan t’i kritikonin e shkatërronin ato. Mirëpo përfitimet që vijnë nga këto teknologji të reja janë të jashtëzakonshme për njerëzimin duke patur parasysh që përfituesit e parë janë konsumatorët të cilët sot mund të kenë më shumë informacion për produktet apo shërbimet që blejnë dhe kanë mundësi të mësojnë ku janë më të lirat dhe më të mirat. Ekonomia gjithashtu po transformohet në mënyrë shumë të shpejtë duke u bërë gjithnjë e më tepër ekonomi e bazuar në dituri e shkencë. Po ashtu falë teknologjisë digjitale mund të kenë një rilindje të mirëfilltë kulturore duke pasur mundësi të shijojnë në distancë produkte mediatike, filma , vepra arti apo lexojnë libra pa asnjë kosto.

Ndryshimi radikal vjen edhe në kulturën politike pasi teknologjia digjitale e përdorur në qeverisje që sot quhet “qeverisja elektronike” ka për të sjellë një dobi të jashtëzakonshme në të gjitha sferat e administratës shtetërore për qytetarët. Aplikimi më i thellë dhe i gjerë i teknologjisë së avancuar pra qeverisjes elektronike sjell përmbushjen më të mirë të politikave, sigurimin e shërbimeve më cilësore për publikun, përdorimin më efecientë dhe ekonomik të fondeve publike, procese më efikase dhe të shpejta të administratës, përfshirje më të madhe të qytetarëve në procese dhe ajo që është më e rëndësishme, një nivel më të lartë transparence për publikun.

Shqiptarët sot janë të prekur nga ky revolucion por janë të përfshirë vetëm pjesërisht. Padyshim që në aspektin kulturor e social jemi duke e përdorur revolucionin digjital në mënyrë intensive duke konkurruar me vendet me të avancuara të botës sidomos kur vjen fjala për rrjetet sociale, mirëpo në sferat e tjera jemi goxha periferik. Duhet të kuptojmë që revolucion është një mundësi e jashtëzakonshme nëse dimë të ecim me hapin e kohës. Një gjë është bërë e qartë nga ky Revolucion i Katërt Industrial se kapitali apo burimet natyrore po marrin peshë dytësore dhe më shumë rëndësi ka cilësia e burimeve njerëzore. Pra përfitimet më të mëdha kanë për t’i siguruar ata që kanë dituri e talent dhe humbësit më të mëdha do të jenë ata që janë të paarsimuar. Tek dimensioni i arsimit dhe përgatitjes sonë duhet të rrahim kambanën e vërtetë të alarmit .

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) organizon një test të quajtur Programit Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve (PISA) që shërben si instrumenti kryesor në botë për të matur e krahasuar sistemet arsimore të vendeve të ndryshme. Në Shqipëri është zhvilluar dy herë dhe rezultatet kanë qenë katastrofë. Testi bëhet për tre fusha: në matematikë, lexim dhe shkencë. Shqipëria zinte vendin e 57-të nga 65 vende ( e fundit mes vendeve evropianë) që ishin përfshirë në test me një rezultat mesatar prej 394 pikësh, ndërkohë që mesatarja e të gjitha vendeve ishte 494, pra 100 pikë poshtë mesatares. Situata dramatike ishte e njëjtë fushën e leximit dhe shkencave ekzakte por matematika mund të konsiderohet si më drejtpërdrejtë e lidhur me erën digjitale. Në dhjetor sivjet kanë për të dalë rezultatet e testit të radhës ku për herë të parë është përfshirë edhe Kosova. Po ashtu Indeksi Global i Inovacionit për vitin 2016 e rendit Shqipërinë në vendin e 92 në listën e 128 shteteve që është vendi i fundit në Evropë dhe goxha më poshtë se fqinjët në rajon, si Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Serbia. Me pak fjalë nëse vazhdojmë kështu ne kemi për t’u bërë humbësit e këtij revolucioni dhe kemi për t’u future në listën e luditëve të epokës digjitale.

 

 

 

 

Comments

comments

Adri

Related Posts

Comments are closed.