Vota e emigrantëve: një propozim i papjekur

Vota e emigrantëve: një propozim i papjekur

Vota e emigrantëve: një propozim i papjekur
Botuar tek gazeta Shqip
 

 

 

Kohëve të fundit lëvizja G99 e drejtuar nga Erion Veliaj ka dalë me një nismë interesante për të mundësuar votimin e emigrantëve shqiptarë. Mirëpo ky propozim dhe retorika që e ka përcjellë më tepër karakterizohen nga një romantizëm përmallues dhe patetizëm i papërmbajtur sesa nga një gjykim i kthjellët lidhur me këtë çështje. Votimi i emigrantëve në fakt has ne dy lloj problemesh, parimore dhe praktike.
Në parim e drejta e votës e nisur prej iluministëve të cilët krijuan edhe konceptin e sovranitetit popullor  përbën thelbin e demokracisë dhe bazohet në parimin e qeverisjes nëpërmjet miratimit të të qeverisurve.  Pra këtu has gozhdën e parë propozimi për votimin e emigrantëve, vota është një instrument i qytetarëve për të përcaktuar se kush i udhëheq, mirëpo emigrantët nëse votojnë në Shqipëri nuk do të pësojnë pasojat e zgjedhjes së tyre pasi nuk do të udhëhiqen nga qeverisja vendore apo qendrore shqiptare atje ku jetojnë. Nëpërmjet këtij propozimi i bie që vota e një emigranti e dhënë për të përcaktuar kush ushtron një pushtet që ata nuk i prek,  të jetë më e  padrejtë dhe e papërgjegjshme sesa vota e një qytetari shqiptare rezident permanent në Shqipëri. More...
Së dyti  një tjetër parim thelbësor i demokracisë me burim sërish tek iluministët si Xhon     Lok ka të bëjë me lidhjen midis taksave dhe përfaqësimit demokratik.  Historikisht përfaqësuesit e popullit në monarkitë evropiane janë thirrur prej mbretit gjithmonë kur është bërë fjalë për të vendosur taksa të reja dhe për të rritur ato ekzistueset dhe pa u vendosur e drejta e përgjithshme e votës, përfaqësuesit e asambleve që vendosnin për këto taksa vinin nga segmentet taksapaguese të shoqërisë. Madje edhe motoja që në një far mënyre ka frymëzuar revolucionin amerikan the themelimin e Shteteve të Bashkuara Amerikane ka qenë “no taxation without representation” (s’ka taksa pa përfaqësim) duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë midis taksave dhe përfaqësimit. Domethënë duke nënkuptuar që dhënia e taksave të kualifikon për të drejtën për të patur përfaqësim politik. Kjo është arsyeja pse SHBA ua mundëson shtetasve amerikan realizimin e të drejtës për të votuar por në të njëjtën kohë iu kërkon gjithashtu që të paguajnë taksa për të ardhurat që nxjerrin jashtë vendit. Vota e emigrantëve do të thoshte që tjetërkush të vendos se sa duhet të paguash dhe si duhen administruar ato që ti paguan.  Përpos kësaj mundësimi i votimit për emigrantët shqiptarë të shpërndarë anembanë globit dhe që  kanë vendosur në mënyrë vullnetare për t’u larguar nga vendi, përmban një  kosto të lartë dhe të padrejtë për taksat e atyre individëve që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri. 
Një tjetër parim demokratik është ai i domosdoshmërisë së marrjes së një vendimi në kushtet kur je i mirinformuar. Një votues nga larg mund të mos zotërojë informacionet e nevojshme për të marrë një vendim të mirinformuar pasi largësia e bën të vështirë për partitë kandidate që të prezantojnë platformat tek jo rezidentët, si dhe këta të fundit e kanë të vështirë të gjykojnë performancën e mëparshme të palëve që garojnë. Emigrantët shqiptarë do të bëheshin lehtë viktima të marketingut politik, fasadave fallso, përpunimit të mediave, imazhit pa përmbajtje apo retorikës boshe ndërkohë që realiteti në terren do ishte i panjohur për ata. Nuk është për t’u çuditur që propozimi për votën e emigrantëve vjen pikërisht nga ata që kanë dëshmuar mjeshtëri në këto teknika.
Për këto probleme apo implikime parimore duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm midis emigrantëve që kanë ikur njëherë e mirë, apo emigrantëve të përkohshëm, ose shtetasve shqiptarë që kanë një rezidencë rastësore apo afatshkurtër në një vend të huaj. Gjithashtu duhet bërë një dallim midis zgjedhjeve vendore ku nuk ka kurrfarë logjike që rezidentët jashtë vendit të votojnë, dhe zgjedhjeve parlamentare për të cilat do të ishte e arsyeshme që emigrantët e përkohshëm apo sezonal të mund  të votonin. Emigrantëve shqiptarë që janë larguar në mënyrë vullnetare përfundimisht në mënyrë të pakthyeshme nga Shqipëria parimisht nuk do të ishte e drejtë dhe e ndershme që t’iu jepej mundësia për të votuar në Shqipëri. Këtë dallim midis emigrantëve të përhershëm dhe atyre të përkohshëm e bëjnë një pjesë e mirë e shteteve që kanë dispozita që mundësojnë votat e emigrantëve. Kështu për shembull Zelanda e Re mundëson të drejtën e votimit deri në tre vjet pas largimit kurse Filipinet kërkojnë që shtetasit që jetojnë jashtë dhe që duan të votojnë të nënshkruajnë në mirëbesim një deklaratë ku të premtojnë se në një kohë të dytë ata do të ribëhen banorë të vendlindjes dhe se nuk do të marrin nënshtetësi të dytë.
Mirëpo përveçse probleme parimore në kushtet e Shqipërisë ky propozim fut ujë akoma më shumë nga ana praktike dhe mundësia për t’u realizuar. Pra mund të thuhet që edhe sikur të ishte e drejtë që emigrantët e përhershëm të votonin në Shqipëri, gjë që unë nuk e besoj, në këtë realitet të tanishëm shqiptar kjo gjë nuk do ishte as e mundur të realizohej ndershmërisht votimi i tyre.  Ne nuk po realizojmë dot në mënyrë të ndershme zgjedhjet brenda Shqipërisë, le më pastaj të organizohet  në mënyrë të ndershme e rigoroze vota e emigrantëve. Ne nuk kemi lista të sakta votuesish në Shqipëri, kështu që as që mund të bëhet fjalë të kemi lista të sakta të rezidentëve shqiptarë nëpër botë. Vendet e ndryshme që mundësojnë votën e emigrantëve kanë arritur standarde të larta për sa i përket ndershmërisë dhe pacenueshmërisë së procesit votues ku procesin e menaxhon shërbimi civil dhe zyrtarët e shtetit. Tek ne mezi organizohen me komisione të balancuara ku janë të pranishëm anëtarë të të gjitha partive. Kuptohet se sa pak legjitimitet do të kishin këto vota emigrantësh që do të përcilleshin në Shqipëri prej Postës shtetërore ose administroheshin prej shërbimit diplomatik shqiptar, institucione këto dy që konsiderohen apriori të politizuar e për rrjedhojë të prirura për të futur duart e manipuluar me rezultatet. Për më tepër që duke patur parasysh numrin e madh të emigrantëve dhe pesha vendimtare që do të kishin në rezultatin final, interesi apo tundimi i partive politike, sidomos atyre në pushtet për të manipuluar me këto vota do ishte i papërmbajtshëm.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i procesit të votimit janë standardet e ndershmërisë që paracakton kodi si për shembull sekreti apo anonimati në proces si dhe transparenca e procesit. Mirëpo shteti ynë nuk ka juridiksion për ti imponuar apo garantuar këto standarde në shtete të tjera pritëse ku gjenden emigrantët shqiptarë, për rrjedhojë vetë procesi nuk do të ketë ato standarde ndershmërie që do mund të garantoheshin në Shqipëri ku vepron ligji shqiptar. Për mos të folur pastaj për rastin kur shtetet pritëse mund të kenë një agjendë të caktuar apo interes në politikën e brendshme të Shqipërisë e të kenë interes për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të brendshme tona nëpërmjet emigrantëve shqiptarë që banojnë tek këto vende. Rasti tipik ka qenë ai i Greqisë ku dendur janë organizuar të ashtuquajturat operacione fshesa në periudha zgjedhore e madje janë organizuar edhe autobusë enkas  për të nxitur emigrantët shqiptarë në Greqi që të kthehen e të votojnë kundër një partie të caktuar që nuk i ka leverdisur interesave greke në Shqipëri. Kjo ndërhyrje në politikën e brendshme do të bëhej shumë më e lehtë dhe shumë më e fortë po qe se emigrantëve tanë do  iu mundësohej të votonin prej Greqisë.
Për rrjedhojë pa bërë të mundur realizimin e zgjedhjeve të ndershme e rigoroze në Shqipëri fillimisht  as që mund të bëhet fjalë për të organizuar një proces të ndershëm votimi të emigrantëve. Kjo do të thotë që është krejt e parakohshme që të niset një debat për votimin e emigrantëve në kushtet  e konjukturës aktuale. E mandej vetëm pasi të garantohej një proces i pakundërshtueshëm në Shqipëri mund të nisej një debat i mirëfilltë duke vendosur në qendër të vëmendjes edhe parimet themelore të sipërpërmendura që janë lënë pas dore nga propozimi i G99.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top